Amir Rrahmani duket se do të luajë edhe për një kohë të gjatë në Napoli.
Futbollisti kosovar është në rrugë të mbarë për ta vazhduar kontratën me klubin italian.
Ajo aktuale e tij do të skadojë në vitin 2024, por palët po negociojnë për vazhdimin e bashkëpunimit deri në vitin 2027, me opsion për një vit tjetër, shkruan “Gazeta Express”.
Sipas mediave italiane, kanë mbetur edhe disa detaje të vogla para se të hidhet e zeza mbi të bardhë.
Rrahmani është njëri prej lojtarëve kryesorë të Napolit në këtë sezon, i cili është shumë afër ta fitojë titullin e kampionit në Serie A dhe ka shkuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Rrahmani deri tash i ka zhvilluar 26 ndeshje në Serie A dhe në Champions duke i realizuar dy gola (në ligën italiane).
Pasi u ndal për një muaj shkaku i një tërheqjeje muskulore mes muajve tetor dhe nëntor, përfaqësuesi kosovar është rikthyer si titullar i padiskutueshëm në fushën e blertë.
Në sezonin e kaluar, ish-futbollisti i Veronës i kishte zhvilluar 41 ndeshje dhe ishte në ngritje e sipër nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti. /Gazeta Express/